Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Diskutohen standartet e reja të sigurimit të cilësisë

Në vijim të takimit të datës 4.12.2017, Agjencia e Sigurimit te Cilësisë dhe Bordi i Akreditimit, organizuan në datën 14.12.2017,  Seminarin me temë "Diskutimi i standarteve të reja të sigurimit te cilësisë". Grupi i punës vuri në dispozicion të pjesëmarrësve draftin e parë të tyre, i cili iu prezantua institucioneve për diskutim dhe propozime për ndryshime eventuale. Përveç prezantimit të standarteve të reja, gjatë seminarit, u ngritën grupe pune (4  grupe të tilla paralele të moderuar nga anëtarë të BA),  të cilat diskutuan në detaje përmbajtjen si dhe analizuan raste të ndryshme vlerësimi dhe gjykimi. 
Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të IAL me eksperiencë në fushën e sigurimit të cilësisë. Me mjaft interes u ndoq prezantimi i anëtarit të BA, i cili parashtroi një sërë çështjesh dhe aspektesh të cilat duhet të jenë pjesë e standarteve të reja nisur nga problematikat dhe përmirësimet e nevojshme të procesit të sapo kaluar të akreditimit institucional me QAA. Ndërsa Kryetari i BA, z.Gjonca pasi falenderoi institucionet për angazhimin e treguar në akreditimin me QAA, i ftoi ato të jenë pjesë e diskutimeve dhe debateve me qëllim hartimin e standarteve të cilësisë gjithpërfshirëse dhe në funksion të rritjes së cilësisë në arsimin e lartë.

ASCAL