Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ENQA-s dhe në aktivitetet e 25-vjetorit, të mbajtura më 22–24 tetor 2025 në Bruksel, Belgjikë. Ngjarja mblodhi së bashku agjenci të sigurimit të cilësisë, përfaqësues të politikëbërjes dhe partnerë ndërkombëtarë, për të reflektuar mbi rrugëtimin e ENQA-s dhe për të diskutuar zhvillimet e ardhshme në sigurimin e cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Programi përfshiu një sesion festiv për 25-vjetorin e ENQA-s në Bashkinë e Brukselit, i ndjekur nga diskutime mbi rolin e ESG-ve në një kontekst global, rëndësinë e sigurimit të cilësisë në zbatimin e Procesit të Bolonjës, si dhe sfidat dhe tendencat më aktuale për agjencitë europiane.
Pjesëmarrësit morën pjesë gjithashtu në sesione tematike mbi:
- përfshirjen e aktorëve të interesit në vlerësimin e jashtëm,
- përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset e sigurimit të cilësisë,
- dhe zhvillimet e fundit mbi rishikimin e ESG-ve.
Pjesëmarrja e ASCAL në këtë aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, anëtarësimit në ENQA, shkëmbimit të praktikave të mira dhe përqasjes së mëtejshme me standardet evropiane të sigurimit të cilësisë, në funksion të objektivave të saj strategjike.



