Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe standardet evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, fton profesionistë të fushave akademike dhe të kërkimit shkencor të aplikojnë për t’u përfshirë si Ekspertë të Vlerësimit të Jashtëm. Roli i ekspertëve është thelbësor në garantimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe të bazuar në evidenca, i cili kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit në Shqipëri.
Ekspertët e vlerësimit të jashtëm janë pjesë e komisioneve profesionale që analizojnë dhe vlerësojnë funksionimin institucional, rezultatet akademike, kapacitetet kërkimore, si si dhe përputhshmërinë e programeve të studimit me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë. Angazhimi i tyre përfshin shqyrtimin e dokumentacionit, pjesëmarrjen në vizitat në terren, komunikimin me aktorët institucionalë dhe përgatitjen e raporteve të vlerësimit.
Për të garantuar profesionalizëm dhe integritet në proces, ASCAL synon të përzgjedhë ekspertë me kualifikime të larta akademike, eksperiencë të konsoliduar në fusha përkatëse dhe njohuri të mjaftueshme mbi standardet e sigurimit të cilësisë. Kjo thirrje synon krijimin e një baze më të gjerë ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, të aftë të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të arsimit të lartë në vend.
Kriteret e detyrueshme:
- Të zotërojë të paktën gradën shkencore “Doktor”, ose “PhD” të fituar jashtë Shqipërisë.
- Të këtë të paktën 5 vite përvojë akademike, dhe të jetë i/e punësuar si personel akademik me kohë të plotë në një institucion të arsimit të lartë, ose institut kërkimor-shkencor.
- Të ketë një sërë studimesh të cilësisë së lartë të botuara në revista shkencore cilësore dhe me impakt të lartë në fushën e tij/saj specializimit.
- Të ketë përvojë në mësimdhënie dhe të ketë marrë pjesë (ose drejtuar) hartimin e programeve të reja të studimit dhe/ose të kurrikulave mësimore në fushën e saj/tij të studimeve.
- Të ketë njohuri akademike të gjuhës angleze dhe të jetë në gjendje të shkruajë materiale akademike në gjuhën angleze.
Kriteret e dëshirueshme:
- Përvojë në sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.
- Njohuri të proceseve të vlerësimit në kuadër të akreditimit institucional, si dhe programeve. te studimit në Shqipëri dhe/ose jashtë vendit.
- Përvojë në organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë.
- Njohuri për tregun e punës dhe perspektivat e punës në fushën/disiplinën përkatëse.