Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 2, datë 03.02.2009 - Për Vlerësimin e Programeve të Reja të Studimit

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM Nr. 2, datë 03.02.2009

 

Për Miratimin e Procedurës për Vlerësimin e Programeve të Reja të Studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi projekt – Procedurën e paraqitur nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, mbështetur në diskutimet e tij,
MIRATON
Procedurën për Vlerësimin e Programeve të Reja të Studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë me tekstin bashkëngjitur këtij Vendimi dhe të firmosur nga Anëtarët e saj.
PROCEDURA TË VLERËSIMIT PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË
Të gjitha programet e reja të studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, përpara çeljes së tyre, i nënshtrohen procesit të vlerësimit paraprak. Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) dhe Këshilli i Akreditimit (KA), në bashkëpunim me ekspertë të fushave, shqyrtojnë dhe vlerësojnë programet e reja të studimit përpara marrjes së vendimit për celjen e tyre. Vlerësimi paraprak i programeve të reja të studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, kryhet në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi dhe përkundrejt kritereve të vlerësimit të miratuara për çdo nivel dhe lloj programi studimi. Dokumentacioni ku kërkohet vlerësimi për hapjen/riorganizimin e një programi studimi, propozuar nga një Institucion ekzistues i Arsimit të Lartë apo në kuadër të hapjes së një IAL të re, sillet nga MASh në APAAL me shkresë zyrtare.
Dosja duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtëm:
1. Argumentimi për hapjen/riorganizimin e Programit të Studimit
2. Organizimi i Studimit
3. Plani Mësimor
4. Syllabuset e lëndëve
5. Rregullorja e programit të studimit
6. Personeli Akademik në funksion të Programit të studimit
7. Shtojca e plotësuar sipas formatit të MASh (për Programet e Ciklit të II e të III të studimit)
Procedura e vlerësimit në APAAL kalon në këto faza:
1. Verifikimi i plotësisë së dokumentacionit
2. Vlerësimi teknik që kryhet nga APAAL
3. Vlerësimi në përmbajtje që kryhet nga APAAL nga ekspertë të fushës
4. Shqyrtimi dhe rezultati përfundimtar nga KA
5. Përfundimi dhe përcjellja në MASh
1. VERIFIKIMI I DOKUMENTACIONIT FIZIK
Dosja me kërkesën dhe dokumentacionin për çeljen e programeve të reja të studimit e paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i nënshtrohet shqyrtimit për praninë fizike të dokumentacionit të kërkuar si më sipër. Për këtë, Agjencia kryen verifikimin e plotësisë së dokumentacionit dhe të pranisë së elementëve përbërës për cdo aspekt të mësipërm.
Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, Agjencia e refuzon dosjen dhe e kthen në MASh pa vlerësim me argumentimin përkatës.
2. VLERËSIMI TEKNIK
Kur dosja e përmban të gjithë dokumentacionin fizik të kërkuar si në pikën 1 më sipër, ajo i nënshtrohet vlerësimit teknik. Shqyrtimi teknik, që bëhet nga APAAL, dhe ka për qëllim vlerësimin e të dhënave të dokumentacionit në raport me kërkesat ligjore dhe nënligjore për çdo program si dhe shkallën e plotësisë së këtyre të dhënave. Në këtë shqyrtim nuk përfshihet vlerësimi në përmbajtje i elementëve të dokumentacionit të programit të studimit, por vetëm prania e plotë e tyre, për t`u siguruar që dokumentacioni është i plotë dhe përmban të gjithë elementet dhe të dhënat e duhura, për t`ju nënshtruar më pas vlerësimit në përmbajtje. Ky vlerësim kryhet nga specialistët e APAAL dhe konsiston në përpunimin e të dhënave dhe vlerësimin formal të aspekteve kryesore që vlerësohen, sipas elementeve përbërës përkatës. Nëse elementet përbërës që lidhen me organizimin e studimit, planin dhe programin mësimor, syllabuset, rregulloren e studimeve, përsonelin mësimor janë të plota dhe në përputhje me kërkesat e aktet ligjore e nënligjore në fuqi; atëhere dosja i nënshtrohet fazës së mëtejshme; vlerësimit në përmbajtje. Kur të dhënat e paraqitura nuk janë të plota dhe/ose jo në përputhje me kërkesat e kriteret bazë, të domosdoshme për vlerësimin në përmbajtje nga ekspertët e fushës, dosja kthehet në MASh me argumentimin përkatës sipas rastit.
3. VLERËSIMI NË PËRMBAJTJE
Kur plotësohen të gjitha kriteret e mësipërme, dokumentacioni i nështrohet vlerësimit në përmbajtje me ekspertë. Për vlerësimin në përmbajtje, APAAL dhe KA angazhojnë ekspertë të jashtëm vendas ose të huaj sipas fushave përkatëse, të cilët përzgjidhen sipas kritereve të përcaktuara e të bëra publike. Vlerësimi me ekspertë kryhet mbi një format të përgatitur nga APAAL dhe i miratuar nga KA, i cili përmban kriteret sipas llojit dhe nivelit të programit të studimit. Objekt i shqyrtimit në përmbajtje të praktikës janë elementët përbërës dhe përmbajtja e aspekteve të mbuluara me dokumentacionin si më lart. Eksperti/ët, mbështetur në të dhënat dhe komentet e vlerësimit teknik për secilin nga aspektet kryesore që vlerësohen, bën vlerësimin duke ju përgjigjur qartë dhe saktë pyetjeve konkrete për çdo aspekt dhe nënaspekt nën vlerësim. Eksperti jep një vlerësim për çdo rubrikë dhe nënrubrikë dhe në fund jep Vlerësimin Përfundimtar për programin e studimit përkatës.
Vlerësimi me ekspertë kryhet në formë anonime të dyfishtë; anonimati sigurohet dhe ruhet nën përgjegjësinë e APAAL.
4. PARAQITJA E VLERËSIMIT DHE SHQYRTIMI NGA KA
A. Në përfundim të procesit të vlerësimi, APAAL paraqet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Akreditimit të gjithë dokumentacionin e programit të shoqëruar me:
a. Listën e dokumentacionit të paraqitur dhe/ose të plotësuar nga aplikuesi
b. Raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje të APAAL dhe ekspertit/ëve
B. KA shqyrton dosjen dhe raportet e vlerësimit. Kur e gjykon të nevojshme/të arsyeshme, Këshilli i Akreditimit mund të kërkojë të dhëna të tjera apo dhe që një përfaqësi e institucionit propozues ta prezantojë këtë
projekt, në një nga mbledhjet e KA.
Në fund të procesit, KA vendos për vlerësimin përfundimtar dhe harton rekomandimet përkatëse për MASh .
5. PËRFUNDIMI I PROCESIT TË VLERËSIMIT
APAAL përcjell me shkresë zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dosjen, së bashku me vlerësimin përfundimtar, raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, të ekspertit/ëve dhe Vendimin e KA me rekomandimet përkatëse.
Kjo procedurë është miratuar nga Këshilli i Akreditimit me Vendim Nr. 2, datë 3.02.2009 .