Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 528, datë 18.07.2013 Për Programin e studimit jouniversitar

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 528, datë 18.07.2013
Për Programin e studimit jouniversitar (2 vite akademike) që përfundon me Diplomë:


1.   SPECIALIST ELEKTRIK

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:

1.   HISTORI
2.   NAVIGACION DHE MENAXHIM DETAR
3.   ARSIM PARASHKOLLOR
4.   MARREDHENIE ME PUBLIKUN
5.   POLITIKE EKONOMIKE

Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.   MENAXHIM I TRASHEGIMISE KULTURORE TE ADRIATIKUT
2.   INFERMIERI PEDIATRIKE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Diplomë; Bachelor dhe Master Profesional, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Diplomë në “Specialist elektrik”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Histori”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
3.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Navigacion dhe menaxhim detar”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:


§  Të zvogëlohet numri i lëndëve dhe provimeve nga 39 në 22 sipas Udhëzimit 15 MASH/2008, Kreu 8, pika 7.
§  Të plotësohen syllabuset e lëndëve me emrat e personelit akademik për të dhënë edhe vlerësim nëse përshtatet me kërkesat e kualifikimit të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore lëndën/modulin.
§  Për disa lëndë literatura nuk është e arritshme dhe është e paraqitur në formë të materialeve të shkruara.
§  Të ndërtohen laboratorë që do të mbeshtesin këtë program studimi.
§  Të nënshkruhen marrëveshje me institucione homologe apo ndërmarrje / biznese dhe sipërmarrje private ku studentet mund të kryejnë praktikat profesionale.

4.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Arsim Parashkollor”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:


§  Të zvogëlohet numri i lëndëve dhe provimeve nga 31 në 22 sipas Udhëzimit 15 MASH/2008, Kreu 8, pika 7.
§  Të angazhohen pedagogë me së paku tituj shkencore Doktor si titullarë lënde sipas ligjit të arsimit të lartë.
§  Të plotësohet plani mësimor, syllabuset dhe CV sipas vërejtjeve të paraqitura në raport.



5.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Marrëdhënie me publikun”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:


§  Të zvogëlohet numri i lëndëve dhe provimeve nga 36 në 22 sipas Udhëzimit 15 MASH/2008, Kreu 8, pika 7.

§  Të plotësohen të gjitha syllabuset me titullarin e lëndës (pedagogun) si dhe me numrin e krediteve, disiplinën përkatëse, temat e leksioneve dhe seminareve.

§  Të angazhohen pedagogë me së paku tituj shkencore Doktor si titullarë lënde sipas ligjit të arsimit të lartë.

§  Të plotësohet plani mësimor dhe CV-të sipas vërejtjeve të paraqitura në raport.



6.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Politikë ekonomike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:


§  Të reflektohen në planin mësimor ndryshimet në tipet e veprimtarisë për disa module, si për disiplinat me zgjedhje ku janë planifikuar 30 ECTS.  

§  Të rishikohet shpërndarja e ECTS-ve duke marrë në konsideratë formimin që jep secili modul, shkallën e vështirësisë që paraqet përvetësimi i tyre, disiplinën ku klasifikohet.

§  Të plotësohet kriteri minimal për titullarët e moduleve (të paktën gradën doktor ose docent), pasi pjesa më e madhe e titullarëtve të propozuar janë me gradë MsC dhe disa në proces doktorature.

§  IAL të shoh mundësinë e shkrirjes së disa moduleve me qëllim që të evitojë mbivendosjet dhe /ose dhënien e njohurive që kalojnë objektivat e PS (Teoria e lojës, Vendim-marrja, politikat ekonomike të mirëqënies sociale).

§  Të plotësohen emrat e titullarëve dhe literatura e detyruar në syllbuset që mungojnë (socialogjia politike, hyrje në shkenca politike, qeveria dhe globalizimi politik dhe ekonomik, politika ekonomike I, bazat e finances, shkenca administrimi, etj.)

§  Të shikohet mundësia e uljes së numrit të moduleve ku janë titullarë pedagogët Fatbardha Kadiu (7 module) dhe Arjan Dedej (6 module).



7.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Menaxhim i trashëgimisë kulturore të adriatikut”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:

  • Të rregullohet përmbajtja e lëndës “Historia e arkitekturës antike dhe mesjetare në Adriatik”, pasi është përsëritur programi i lëndës “Muzeologji, si dhe të shtohet kjo e fundit në këtë program studimi.
  • Të rishikohet përshkrimi dhe zbatimi i disa lëndëve në funksion të realizimit të objektivit të vendosur nga Institucioni pasi nuk parashihet gjë për kulturat e vendeve që përmenden në objektiv.
  • Nisur nga titulli i masterit me orientim në kulturën detare, ky program duhet të barazpeshohet me disiplina të tilla, si arkeologjia nënujore, ihtiologjia (peshkimi), detaria (marina) dhe lundrimi, kultura detare etj.
  • Të pasurohet bibliografia pasi është e pamjaftueshme, jo e larmishme, kryesisht anglisht, me pak mundësi rekomandimi në gjuhët e popujve që kanë kulturë adriatike, thuajse në të gjitha rastet literaturë bazë është ajo e lektorit, i cili vetë ka formimin e shkallës së masterit; literaturë që është e karakterit të doracakut (manual, handbook, guide).
  • Të shikohet mundësia për të angazhuar personel akademik të cilët nuk do të jenë të shkallës thuajse të barabartë me studentët (Msc, MA, MBA): 43 nga 77.
  • Të rritet në peshë puna e pavarur, për të bërë dallimin me shkallën paraardhëse universitare.


8.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Infermieri Pediatrike”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:

§  Programi i studimit Master Profesional në disa lëndë ka përsëritje temash në masë të gjerë duke mos bërë ndryshim nga e njëjta lëndë e kryer edhe në ciklin e parë si psh: Puerikultura; Infermieristikat e Anestezisë; Kirurgjinë Pediatrike dhe Shëndeti mjedisor.

§  Programi i paraqitur ka 15 kredite për përgatitjen e mikrotezës, por do ishte mirë që në këtë sasi të madhe të përgatitjes së mikrotezës ti jepeshin mundësi trajnuese teorike dhe praktike paraprakisht, ku studentët të arrinin të përvetësonin disa njohuri për metodat dhe instrumentat e kërkimeve shkencore.

§  Ka përsëritje të njohurive të marra në ciklin e parë në masë të madhe.

§  Programi i studimit nuk jep të dhëna për një aftësim profesional më të detajuar veçanërisht në fushën për të cilën edhe është emërtuar.

§  Në të dhënat e këtij programi nuk del qartë cili do të jetë tregu potencial i punës për të diplomuarit nëpërmjet një studimi të këtij tregu.

§  Nuk ka të dhëna për synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.

§  Programi do duhet të plotesojë akoma disa kritere që të mund të garantojë arsimimin dhe trajnimin profesional në përputhje me tregun e punës në fushën përkatëse.

§  Ngarkesa mësimore është jashtë kritereve të percaktuara në ligjin për arsimin dhe të pa studiuara pasi rezulton që pavarsisht lënd/module me kredite të ndryshme kanë orë të njëta ne auditor dhe po ashtu edhe orët jashtë auditorit të cilat janë të unifikuara me një shifër standarte (32 auditor/93 jashtë auditorit) që nuk përkojnë aspak me kreditet e ndryshme.

§  Duhet të bëhet një rishpërndarje tjetër e ECTS për të bërë të mundur dhënien e njohurive maksimale për këtë nivel studimor, ku nëse do të qendrojë me po 60 kredite të ndahet mikroteza edhe në pjesë teorike për ti trajnuar paraprakisht studentët për kërkime shkencore, të ulet ngarkesa në lëndet e përseritura gjatë ciklit të parë, dhe të shtohen më shumë njohuritë praktike për detaje të kësaj fushe të mjekësisë.

§  Raporti orë mësimore në auditor dhe orë mësimore të pavarura nuk është aspak në norme pasi nuk përkojnë me kreditet dhe janë të pabazuara

§  Studimi i pavarur nuk është i bazuar me rendësine e lendë/modul të lidhura me peshën specifike të krediteve.

§  Ky program studimi nuk ka konceptim elastik që të mund të lejoi lëvizshmerinë.

§  Disiplinat në aktivitetet formuese në auditor mund të ndahen në mënyrë më të përshtatshme.

§  Syllabuset duhet të paraqiten me një strukturë dhe standart të njëjtë për të gjitha detajet përbërse të tyre.

§  Syllabuset duhet të ripunohen për të larguar një pjesë të mirë të njohurive të marra në ciklin e parë të Bachelorit; të japin një formim të integruar dhe bashkëkohor, duke mbajtur parasysh dhe ripunimin e literaturës përkatëse.

§  Mungojnë CV e disa prej personelit akademik.

§  Nuk janë të paraqitura ambjentet e vet institucionit për tu vlerësuar.



Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:



Programi i Studimit:                                    Diplomë në Specialist Elektrik

                                                                    të hapet



Programi i Studimit:                                    Bachelor në Histori

                                                                    të hapet

 

Programi i Studimit:                                    Master Profesional në Infermieri Pediatrike

                                                                    të mos hapet

 

Institucioni aplikues, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për programet e studimitBachelor në “Navigacion dhe menaxhim detar”; Bachelor në “Arsim Parashkollor”; Bachelor në “Marrëdhënie me publikun”; Bachelor në “Politikë ekonomike” dhe Master Profesional në “Menaxhim i trashëgimisë kulturore të adriatikut”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT