Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 67, datë 26.02.2010 - SHLUP “New York University - Tirana”

 

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 67 datë 26.02.2010

Për akreditimin e Programeve të Studimit të Ciklit të dytë Master i Nivelit të Parë në: “Administrim Biznes”, “Administrim Biznes” me profil Bankar, të Shkollës së Lartë Universitare Private “New York University - Tirana”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit të Ciklit të dytë, Master i Nivelit të Parë (MNP) në: “Administrim Biznes”, “Administrim Biznes” me profil Bankar, të Shkollës së Lartë Universitare Private “New York University - Tirana”, të kryer në periudhën Qershor 2009 – Shkurt 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar për akreditimin e Programeve të Studimit të Ciklit të dytë, MNP në: “Administrim Biznes”, “Administrim Biznes” me profil Bankar, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim,
REKOMANDON:
1. Të shfrytëzohen dhe harmonizohen më mirë burimet e UNYT-së dhe të institucioneve partnere për të optimizuar gradualisht normën e ndërrimit të profesorëve.
2. Në rregulloren e programit të studimit, “klauzola e mundësisë së konkurrimit të kandidatëve pa një diplomë të nivelit të parë”, të mënjanohet si e papërshtatshme me legjislacionin shqiptar, pavarësisht nga fakti se nuk ka patur asnjë rast të tillë deri tani.
3. Disa emërtime lëndësh të saktësohen për t’u paraqitur në mënyrë të njëllojtë sepse ndryshimet që ndeshen në formulimet e tyre, në disa raste krijojnë përshtypjen e lëndëve të ndryshme.
4. Ka vend për një bashkëpunim më të madh në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor edhe me institucionet e tjera arsimorë të vendit, publike dhe jopublike.
5. Të punohet më shumë dhe në mënyrë më të programuar për të shtuar mjediset e të gjitha llojeve (në radhë të parë mësimore, bibloteka dhe të tjera) dhe të përfundojnë në një afat sa më të shkurtër.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në: “Administrim Biznes” të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në: “Administrim Biznes” me profil Bankar të akreditohet.

KËSHILLI I AKREDITIMIT