Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 75 datë 28.05.2010 - Universiteti “Aleksandër Xhuvani”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 75 datë 28.05.2010

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) dhe për programet e studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master të Nivelit të Parë (MNP) në:
1. DNP Gjuhë Shqipe dhe Frënge
2. MNP Punonjës Social me Fëmijët dhe Familjen
3. MNP Psikolog në Institucione
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programet e Reja të Studimit, Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) në: “Gjuhë Shqipe dhe Frënge”; të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, si dhe Programet e Reja të Studimit, Master i Nivelit të Parë (MNP) në: “Punonjës Social me Fëmijët dhe Familjen”, “Psikolog në Institucione”, të kërkuara nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, bazuar në raportin e vlerësimit teknik, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, DNP në “Gjuhë Shqipe dhe Frënge”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv me kusht që të plotësohen sa më poshtë:
1. Të shihet mundësia e futjes të mësimit të Frengjishtes për nivelin fillestar (duke supozuar që një pjesë e studentëve të pranuar mund të mos e dinë Gjuhën Frënge);
2. Të shikohet mundësia e futjes së lëndës “Gramatika Historike e Shqipes” si dhe kalimi të disa lëndëve të detyrueshme në grupin e lëndëve më zgjedhje.
3. Të rishikohet literatura e domosdoshme dhe ndihmëse, me qëllim që të ketë lëndë për diskutim në seminare. Në këtë literaturë duhen përfshirë artikuj dhe vepra që pasqyrojnë arritjet më të fundit në të dyja fushat e shqipes.
4. Në elementet e vlerësimit të përfshihet edhe aktivizimi në seminare me diskutime, referate, detyra shtëpie, detyra kursi etj.
5. Duhen bërë përpjekje për pasurimin e bazës materialo-didaktike (apo krijimin e saj, në qoftë se mungon) me laboratorë kompjuterësh dhe me pajisje të tjera audiovizive. Kjo bazë materiale është e nevojshme për mësimin e frëngjishtes (siç bëhet në degët e gjuhëve të huaja), për demonstrimin e lëndëve teorike si fonetika e informatika, po edhe për të nxitur kërkimin shkencor dhe punën e pavarur krijuese të pedagogëve e studentëve.
6. Duhet zgjeruar bashkëpunimi me universitet e tjera, sidomos për profilin e frëngjishtes, ku vërehet se kjo gjë është e domosdoshme.
7. Misioni dhe objektivat e programit të studimit kanë nevojë të saktësohen/specifikohen dhe të pasurohen.
8. Aplikuesi duhet të përcaktojë qartë njohuritë bazë për gjuhën frënge që studenti
duhet të ketë, për të ndjekur normalisht lëndët e paraqitura në këtë program si dhe mundësitë e punësimit të studentëve, në përfundim të programit.
9 Modulimi i lëndëve shqip-frëngjisht duket thjesht nje bashkim mekanik i tyre. Sugjeroj modulimin e lëndëve brenda të njëjtës gjuhë (psh Moduli morfologji shqipe dhe morfologji frënge -1 provim; nderkohë që mund te modulohej në morfo sintaksë e gjuhës shqipe dhe morfo sintaksë e gjuhës frënge sic dhe është përvoja ndërkombëtare).
10. Lëndët e formimit të gjuhës frënge duhet të zhvillohen në frengjisht (pasi kjo nuk del e qartë nga materiali i vënë në dispozicion).
11. Lëndë të tilla si Dialektologjia, gjuhë klasike, studime ndërkulturore ballkanike, etnofolklor mund të zëvendësohen me lëndë të formimit gjuhësor dhe me karakter praktik për të aftësuar studentin në përdorimin e gjuhës frënge në situata të ndryshme ligjërimore si dhe lëndë të përdorimit të Teknikave të informacionit.
12. Për lëndët si Fonetikë e gjuhës frënge, Morfologji/sintaksë e gjuhës frënge, leksikologji, analizë teksti, etj. që janë në plan mësimor,duhet riparë raporti midis leksioneve dhe ushtrimeve, në favor të këtyre të fundit.
13. Të rishikohen temat teorike dhe praktike të disa syllabuseve të lëndëve, pasi syllabuset duhet të pasqyrojnë në mënyrë analitike temat e lëndës që do të trajtohen.
14. Programet e lëndëve duhet të pasqyrojnë anën praktike të tyre, natyrën e ushtrimeve apo seminareve.
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MNP në ”Punonjës Social me Fëmijët dhe Familjen”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv.
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MNP në ”Psikolog në Institucione”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë në “Gjuhë Shqipe dhe Frënge” të hapet
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në “Punonjës Social me Fëmijët dhe Familjen” të hapet
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në “Psikolog në Institucione” të hapet

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT